Në ambientet e sallës COD, pranë Kryeministrisë u shpallen këtë të enjte fituesit e Konkursit të Turizmit, edicioni i 3-të, që u zhvillua përgjatë tre muajve në portalin unik qeveritar e-Albania.

Mes 120 aplikimeve të mbërritura në kategoritë foto/video, pikturë, ese dhe NewLogo, u shpallen fituesit e tre vendeve të para, në bazë të votave të publikut, si dhe fituesi i kategorisë NewLogo, vlerësuar nga një juri ekspertësh.

Fituesi i çmimit të parë u shpall aplikanti Ardit Hajdini, pasi fotoja me pamje të mrekullueshme nga Razma e Shkodrës arriti të merrte 66 vota. Në vend të dytë, u rendit Fabiola Muhollari, e cila solli në këtë konkurs foto dhe ese, por ishte pikërisht eseja ajo që goditi më tepër, ndaj krijimi i saj i titulluar “Thethi, aventurë e paharruar”, mblodhi në total 65 vota. Në vend të tretë u rendit Marjana Koçeku me 47 vota, e cila aplikoi me një video mjaft të bukur nga grykat e lumit të Shalës, në kanionet e Stupës, në Shosh, Shkodër. Logoja fituese e Agjencisë Kombëtare të Turizmit u shpall dizajni i dërguar nga Gerti Rupi, i cili përfitoi një tablet dhuratë.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe AKT-ja ishin partnerë në organizimin e këtij viti të Konkursit dhe aktivitetit përmbyllës të tij. Ceremonia e shpërndarjes së çmimeve u zhhvillua në ambientet e Kryeministrisë, ku ishin të pranishëm Drejtoresha e Portalit qeveritar e-Albania, znj. Nevila Repishti, kreu i AKT-së, z. Ardit Çollaku, zëvendësministri i Turizmit, z.Hajrulla Çeku dhe zëvendësministrja e Mjedisit, znj. Ornela Çuçi.

Në fjalën e saj, znj. Repishti falenderoi të gjithë pjesëmarrësit e konkursit, për fotot e videot me imazhe të mrekullueshme nga vendi ynë, një thesar i jashtëzakonshëm në zemër të Europës. Duke shfrytëzuar rastin, znj. Repishti përmendi shkurtimisht arritjet e portalit e-Albania gjatë vitit 2017, ku si pikë kulmore është pikërisht hyrja në fuqi e vulës dixhitale dhe shkarkimi direkt nga portali 29 dokumenteve të ndryshme, të pajisur me vulë, të vlefshme ligjërisht.

“2017-a po mbyllet me një numër prej 600 shërbimesh elektronike në portal. Kjo është një arritje e madhe e përbashkët ndërinstitucionale, pasi i gjithë shtetit është vënë në shërbim të qytetarëve dhe biznesit, përmes një sporteli virtual të jashtëzakonshëm, sic është e-Albania. Portali tashmë është kthyer në një brand të mirënjohur dhe vëmendja e qytetarëve dhe bizneseve është kthyer drejt nesh. Ky është një fakt dhe këtë ne e ndjejmë përmes përdorimit të madh të Portalit. Mesatarisht në një muaj ne kemi 20.000 përdorues të rinj. Aktualisht kemi 370.000 përdorues të regjistruar, ndërsa shërbimet e Portalit përdoren 140.000 herë në muaj. Përmes hyrjes në fuqi të vulës dixhitale, shkarkimi i dokumenteve me vlerë ligjore direkt përmes Portalit e-Albania është i lartë. Gjithashtu, fakti që sot punonjësi i administratës verifikon në kohë reale të dhënat e qytetarit që ka përballë në sportel, përmes e-Albanias, e bën këtë portal edhe më shumë të dobishëm”, u shpreh znj. Repishti.

Edhe kreu i AKT-së, z. Çollaku vlerësoi konkursin, por edhe bashkëpunimin me AKSHI-n në përgjithësi dhe Drejtorinë e Portalit e-Albania në veçanti. Zëvendësministri, z. Çeku inkurajoi organizimin e konkurseve të tilla promovuese për turizmin e njëkohësisht.

Shpërndarja e çmimeve u bë simbolikisht nga zv/ministrja znj.Çuçi, cila uroi përzemërsisht fituesit për aplikimet e sjella.

Tre operatorë turistikë u ofruan që të dhuronin për fituesit fundjava çift në Berat, Sarandë dhe Durrës.