Gjatë një dëgjese të zhvilluar me qytetarë të Rrëshenit lidhur me platformën e bashkëqeverisës, kryeministri i vendit, z. Edi Rama bëri me dije se do të ketë një reduktim drastik të dokumenteve që shteti kërkon ndaj qytetarit dhe biznesit.

  1. Rama theksoi se shumë shpejt do të bëhen publike konkluzionet e procesit për shkurtimin në masë të dokumenteve.

“66% të dokumenteve që kërkonte Ministria e Arsimit për procesin mësimor do shkurtohen. Kështu do shkurtohen në të gjithë linjën horizontale të qeverisjes për biznesin, për qytetarët, si dokumente për marrjen e paaftësisë, ose aftësisë së kufizuar, dokumente për të gjitha proceset. Shkurtimi i dokumenteve, shkurtimi i licencave, shkurtimi i autorizimeve bën që të shkurtohen ndërveprimet dhe nevoja për të shkuar në zyra bën që të ulet numri i kontakteve me zyrat, të ulet edhe masa e parave që duhen paguar mbi dhe nën dorë për këto dokumente”, u shpreh kryeministri.

  1. Rama theksoi se procesi i kalimit online dhe barra që i është ngarkuar punonjësit te shtetit për t’i siguruar vetë dokumententet përmes portalit për qytetarët e interesuar, ka dhënë rezulatet e para të mirëfunksionimit.

Edhe një ditë më parë, pas mbledhjes së Qeverisë në qytetin e Lezhës, z. Rama, në një deklaratë për media u ndal në rezultatet konkrete që ka dhënë për qytetarët hyrja në fuqi e vulës dixhitale.

“Shumë procedura tashmë kanë kaluar online duke bërë që njerëzit të mund të shërbehen vetë, drejtpërdrejt, pa pasur nevojë që të shkojnë fare në një zyrë shteti, gjë që ka ndodhur me certifikatat. Sot, secili mund t’i marrë nga kompjuteri i vet, me vulën elektronike që është e vlefshme. Por, jo vetëm me certifikatat, por edhe me shumë procese të tjera dhe ne jemi ende në vazhdim,” u shpreh Kryeministri Rama, duke iu referuar 29 dokumenteve që qytetari dhe biznesi mund të marrë aktualisht me vulë dixhitale përmes portalit qeveritar e-albania si dhe qindra shërbimeve të tjera që mundësojnë aplikimin dhe përfundimin e shërbimit online.

Shërbimet për certifikatat në portalin qeveritar e-Albania ishin hapi shembulli i parë i kalimit të dokumentacioneve shtetërore online, me përfitues direkt qytetarët e vendit.

Gjatë muajve të fundit shërbimet që lidhen me certifikatat rezultojnë në shërbimet më të përdorura nga qytetarët. E gjithë procedura lehtësuese ka çuar në shtim të interesit publik, që përkthehet në përdorim masiv të shërbimeve të portalit qeveritar e-Albania.