European-Commission
Raport progresi i Komisionit Evropian 2015 për Shqipërinë thekson se zhvillimi aktual i fushës së Shoqërisë së Informacionit dhe qeverisjes elektronike përcjell një progres të moderuar. Kjo do të thotë se me zhvillimin aktual të kësaj fushe, Shqipëria është e gatshme të ndërrmarrë detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Raporti evidenton sukseset e qeverisë shqiptare të implementuara nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit në zhvillimin e arritur në fushën e qeverisjes elektronike. Komisioni Evropian vlerëson progresin e arritur nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit në ofrimin e shërbimeve të shumta elektronike për institucionet shtetërore (GG), qytetarin (GC) dhe biznesin (GB).

Elementët kryesor të këtij progresi të evidentuar nga strukturat e Komisionit Evropian janë: portali unik qeveritar e-Albania si dhe platforma Qeveritare e Ndërveprimit. Nëpërmjet kësaj platforme qeveritare mundësohet ndërveprimi i bazave të të dhënave shtetërore në kohë reale dhe më një siguri maksimale. Kjo reformë e ndërrmarrë, ka mundësuar rritjen e efektivitetit të administratës publike në shërbimin ndaj qytetarit dhe biznesit duke realizuar kështu objektivin madhor të kësaj qeverie, atë të një administrate të orientuar drejt qytetarit.

Komisioni Evropian ka cilësuar si një faktor esencial në arritjen e këtij objektivi, fuqizimin e kapaciteteve dhe organizmin e ri të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Gjithashtu miratimi i strategjisë “Agjenda Digjitale” 2015-2020 si dhe shtimi i shërbimeve të reja elektronike në portalin unik qeveritar e-Albania janë ndër arritjet kryesore të evidentuara në Raportin e Progresit 2015 për Shqipërinë.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i paketës së zgjerimit të prezantuar nga Komisioni Evropian është patjetër edhe niveli i zhvillimit të qeverisjes elektronike në Shqipëri krahasuar me zhvillimin rajonal. Ajo që konstatohet nga analizimi i raport progreseve për vendet e rajonit, nxjerr edhe nje herë në pah zhvillimin e arritur nga qeveria shqiptare në qeverisjen elektronike. Shqipëria renditet ndër vendet e para në rajon për nivelin e zhvillimit të e-Gov, sëbashku me Maqedoninë dhe Malin e Zi. Megjithatë, raporti i Progresit për Maqedoninë krahas vlerësimeve të evidentuara në përpjekjet për zhvillimin e fushës së qeverisjes elektronike evidenton edhe pengesat në zhvillimin e tregtisë elektronike. Ndërkohë që Raporti i Progresit për Serbinë evidenton mjaft mangësi si në kuadrin ligjor ashtu edhe në kapacitetet administrative në nivel qendror për fushën e qeverisjes elektronike. Në rastin e Kosovës raporti vlerëson përpjekjet për zhvillimin e fushës së shoqërisë së informacionit, por e evidenton në nivelin 2 të zhvillimit të kësaj fushe. Ndërkohë që zhvillimi i shoqërisë së informacionit dhe qeverisjes elektronike në Bosnje-Hercegovina paraqet problematika në zbatim legjislacioni dhe kapacitete administrative duke u renditur në nivelin më të ulët të zhvillimit të e-Gov në rajon.

- Komisioni Evropian vendos 5 faza në vlerësimin e progresit: 1-fazë e hershme; 2-njëfarë përgatitje; 3- nivel i moderuar përgatitje; 4-nivel i mirë përgatitje; 5-nivel i përparuar