smart


Në kuadër të aktiviteteve në Ditën Ndërkombëtare të Qyteteve, drejtoria e Portalit Qeveritar e-Albania organizoi një takim me temë “Smart Cities- Qytet më i mirë, jetë më e mirë!”

Aktiviteti i zhvilluar në ambientet e godinës “Liria”, pranë Universitetit të Tiranës, mblodhi së bashku drejtues të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, pedagogë të Fakultetit të Ekonomisë, administrues të portalit unik qeveritar e-Albania dhe studentë të degës së Departamentit të Statistikës dhe Informatikës së Aplikuar.

Fillimisht, me anë të një prezantimi u fol rreth ndikimit të zhvillimit teknologjik në jetën urbane, veprimeve inteligjente që kanë si emërues të përbashkët zbatimin e projekteve në kuadër të “Smart Cities”.

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, znj. Mirlinda Karçanaj, duke folur shkurtimisht rreth portalit e-Albania, shërbimeve që ofrohen në të, bëri me dije para të pranishmëve edhe një projekt mjaft interesant, të miratuar së fundmi, financuar nga Fondi i Zhvillimit Rajonal (FZHR).

“Me qëllim përmirësimin e jetesës në qytetet e ditëve të sotme, FZHR financon projektin për shkrimin e projekteve të zgjidhjeve "Smart Cities" . Objekti i shërbimeve do të jetë përmirësimi i jetesës në qytetet e ditëve të sotme mbi ofrimin e një game të gjerë shërbimesh dhe sistemesh, me anë të të cilave rregullohet mbarëvajtja e qytetit, e jetës së qytetarit dhe rritja e cilësisë së shërbimeve që i vihen ne dispozicion komunitetit”, u shpreh znj. Karçanaj. Shërbime të tilla,- theksoi kreu i AKSHI-t, - ngrihen me synimin për të trajtuar dhe dhënë zgjidhje eficente për çështje të rëndësishme që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen dhe zhvillimin e qytetit.

E ftuar në këtë aktivitet, prof.dr. Kozeta Sevrani, një prej emrave më të rëndësishëm të Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, drejtuese e Departamentit të Statistikës dhe Informatikës së Aplikuar, foli rreth ndikimit që kanë sjellë dhe do të sjellin në të ardhmen, shërbime në kuadër të “Smart Cities”.

“Në projektet ‘Smart Cities’, që tashmë kanë nisur zbatimin, me interes shihet sektori i arsimit, në integrimin e Teknologjisë së Informacionit për edukimin e studentëve. Kjo, përfshin teknologjitë që përdoren për të konvertuar sistemin aktual të arsimit, në një qasje të re, më moderne, në përpjekje të vazhdueshme për të eliminuar një sërë hallkash dhe për ta bërë më shkurtër dhe më të fortë zinxhirin e përçimit të dijes, nga stafi akademik, tek studentët. ‘Arsim Inteligjent’ është një prej çelësave të suksesit në lidhje me procesin e mësimdhënies në universitete”, tha ndër të tjera zonja Sevrani.

Qytetet inteligjentë po bëhen funksionalë, ndërsa harta e tyre po shtrihet në nivel global. Shumë prej veprimeve inteligjente, të cilat qytetarët nuk janë gjithnjë të gatshëm t’i dedektojnë në kohë reale, tashmë janë të pranishme në infrasktrukturë, administratë, sisteme arsimore, spitalore dhe më gjerë. E ardhmja e "Smart Cities" ka një potencial pa limit, që do të bëhet gjithnjë e më tepër e vlefshme duke marrë parasysh edhe zhvillimin e vazhdueshëm të teknologjisë.

Dita Ndërkombëtare e Qyteteve; “Të projektuar për të jetuar së bashku!"

Kombet e Bashkuara kanë përcaktuar 31 tetorin, si ‘Ditën Ndërkombëtare të Qyteteve’. Aktivitetet që zhvillohen në kuadër të kësaj dite kanë për qëllim që të zhvillojnë interesin e komunitetit ndërkombëtar në çështje të urbanizimit global, të shtyjnë përpara bashkëpunimin ndërmjet vendeve të ndryshme për përputhjen e mundësive dhe adresimin e sfidave të urbanizimit.

Dita Ndërkombëtare e Qyteteve është caktuar më 27 dhjetor të vitit 2013, nga Asambleja e Përgjithshme, në rezolutën e saj A/RES/68/239, përmes të cilës ftohen shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara, që të jenë pjesë e aktiviteteve për rritjen e vëmendjes dhe interesit për zhvillimin e qyteteve në mbarë botën.

Tema kryesore e aktiviteteve në kuadër të kësaj dite është: "Qytet më i mirë, jetë më e mirë!", ndërsa çdo vit ka një nëntemë të veçantë. Nëntema e këtij viti ishte "Të projektuar për të jetuar së bashku!"