akshi22.jpg

Prezantohet portali e-Albania dhe shërbimet që ofrohen në të.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në nëntor të vitit 2014, e shpalli 15 korrikun, si “Ditën Botërore të Aftësive Rinore”.

Papunësia dhe punësimi jo në kohë të plotë i të rinjve është një problem në shumë vende të botës që janë në zhvillim. Për këtë qëllim, Asambleja e Kombeve të Bashkuara kërkoi nga vendet anëtare, siç është edhe Shqipëria, që përmes institucioneve publike, organizatave jo fitimprurëse, vullnetarëve, të organizonte aktivitete, që mund të ndihmonin të rinjtë, për të kapërcyer pengesat në lidhje me punësimin dhe përmirësimin e aftësive të tyre.

Në kuadër të kësaj dite, në ambientet e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit u zhvillua një aktivitet, ku ishin të pranishëm një grup të rinjsh, të cilëve fillimisht iu prezantua portali qeveritar e-Albania, porta unike në internet, ku qytetarët, bizneset dhe vetë nënpunësit qeveritarë mund të përfitojnë shërbime elektronike. Përmes një ekspozeje grafike, u prezantua mënyra se si mund të merren shërbimet e kësaj platforme 'që nuk fle kurrë'.

Gjatë prezantimit u theksua efikasiteti, lehtësirat e mëdha që ofrohen përmes shërbimeve të publikuara në portal. Ndër të tjera, theksi u vu në faktin se, vetëm në 6-mujorin e parë të vitit 2015 janë kryer rreth 5 milionë e gjysmë transaksione, ndërkohë që për vitin 2014 në total, ka patur rreth 3 milionë e gjysmë të tilla. 

Përfaqësues të AKSHI-t, demonstruan mënyrat e regjistrimit në portal dhe marrjen e një shërbimi të caktuar, brenda vetëm pak minutash. 

Më pas, aktiviteti vijoi me një vizitë në ambientet e Qendrës së Dhënave Qeveritare. 

Përmes portalit unik qeveritar e-albania.al merret në kohë të shpejtë shërbimi elektronik që ofrohet nga institucionet publike në Shqipëri.Portali, së bashku me Platformën Qeveritare të Ndërveprimit nëpërmjet të cilës institucionet ndërveprojnë duke shkëmbyer të dhëna në kohë reale, janë pjesë e rëndësishme e strategjisë së Qeverisë, për të ofruar shërbime elektronike nëpërmjet një pike të vetme kontakti.