lajmi.jpg
Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme në Parlament:


Në fakt, unë erdha për të folur për ligjin për të cilin po diskutohet dhe fatkeqësisht siç është bërë zakon, këtu vetëm për përmbajtjen e rendit të ditës nuk flitet dhe vetëm për çështjet që adresohen nga projektet e ligjeve nuk diskutohet.

Ndërkohë që, unë besoj se ky është një projekt që ka një rëndësi themelore dhe i hap rrugë një tjetër reforme transformuese dhe me plot gojën ndan Shqipërinë nga një epokë e gjatë dhe jashtëzakonisht sfilitëse për qytetarët që marrin shërbime publike, në një epokë ku shërbimet publike do të transformohen rrënjësisht.

Unë jam krenar që ne e arritëm në një kohë relativisht të shkurtër, por me një propozim bindës që të përfshijmë Bankën Botërore dhe Bashkimin Europian në draftimin e një projekti inovativ që adreson, shpresoj dhe besoj, në mënyrë përfundimtare çështjen shumë të rëndësishme dhe plagën shumë të madhe të korrupsionit në shërbimet publike, duke adresuar njëkohësisht edhe të gjithë atë proces që sot iu kushton qytetarëve kohë, para, nerva dhe në fund të ditës apo në fund të vitit, apo në fund të shumë viteve që nuk arrijnë dot të zgjidhin problemin, sigurisht që përkthehet edhe në një dëshpërim të madh.

Ajo që ne do të bëjmë me këtë projekt është, transformimi i shërbimeve në mënyrë rrënjësore duke bërë që sot 134 institucione që japin shërbime, prej të cilave 56% janë shërbime në sportele, të kthehet në një shërbim të cilësisë më të lartë dhe në një model që do të shërbejë edhe për shumë zhvillime të tjera që vijnë si rezultat i këtij transformimi.

Sot, në pjesën analitike të punës, për të përgatitur propozimin për financimin ne kemi konstatuar që hapësirat ku qytetarët shërbejnë në sportelet e Republikës së Shqipërisë, janë nga dy metra katrorë, - jo për person, por dy metra katrorë për të gjithë ata që kanë nevojë për atë shërbim, - deri në maksimumin 25 metra katrorë. Faktikisht, jo radhët por turmat e ngjeshura përballë sporteleve janë absolutisht të paevitueshme në kushtet kur shërbimet jepen në këto hapësira krejtësisht të papërshtatshme. Për më tepër bëhet fjalë për shërbime që kanë nevojë edhe për një kohë të caktuar hulumtimi të dokumentacionit, gjë që shton në mënyrë marramendëse orët që humbin qytetarët nëpër këto hapësira.

Nga ana tjetër, kemi konstatuar që orët e shërbimit janë larg së qeni orë të favorshme për njerëzit që kanë nevojë për shërbim dhe shtrihen nga dy deri në gjashtë orë. Ndërkohë që, gjithë pjesa tjetër e kohës, dhe pa marrë parasysh kohën më të përshtatshme për njerëzit, nuk shfrytëzohet. Po ashtu, ka shumë pak shërbime minimale dhe janë disa shërbime të rinovuara rishtas që kanë menaxhim të radhës. Ndërkohë që, në të gjitha hapësirat kush shtyn më shumë, ia del të marrë më shpejt përgjigje në sportel.

Ne kemi bërë një avancim në mënyrë paralele, sepse faktikisht sot, ky projekt vjen në qeveri, por procedurat kanë qenë mjaft të gjata përsa i përket të gjithë shkallëve të miratimit nga ana e Bankës Botërore dhe është humbur njëfarë kohe. Ndërkohë që, në këtë periudhë kohe ne kemi filluar punën për të krijuar të gjithë bazën e të dhënave.

Shërbimet publike në Shqipëri do të jepen në një rrjet të informatizuar dhe do të burojnë nga një qendër kombëtare e shërbimeve publike, e cila do të ndërtohet në Tiranë. Do të jetë një ngrehinë e re ku do të kryhen absolutisht të gjitha shërbimet për qytetarët. Pra, nuk do të ketë më nevojë që qytetarët të shkojnë nga një sportel në tjetrin, por do të kenë vetëm një adresë, vetëm një hapësirë dhe në atë hapësirë do të marrin shërbimet në një kohë që do të jetë maksimumi tre minuta.

Kjo nuk është utopi! Kjo është e gjitha e mirëmenduar dhe e mirëorganizuar. Sigurisht, kërkon disa premisa.

Premisa e parë që ne kemi punuar gjatë gjithë kësaj periudhe dhe që është premisa më e rëndësishme, por dhe vështirësisht e realizueshme në një kohë të shpejtë, është baza e të dhënave.

Kemi trashëguar një shtet që vetëm shtet nuk mund të quhet. Që, nuk ka absolutisht një bazë të dhënash të besueshme, të organizuar dhe të integruar. Çka do të thotë se puna që kemi filluar është kalimi nga një bazë të dhënash krejtësisht pa inventar, në dosje, në letra, në sirtarë, në dollapë, shpeshherë me shumë mangësi, në një bazë të dhënash dixhitale për shërbimin.

Së dyti, po bëjmë ri-inxhinierimin e të gjithë strukturës së shërbimeve, me një grup ekspertësh të qeverisë dhe ekspertë të huaj që na i ka vënë në dispozicion projekti i Bankës, për të shkurtuar numrin e licencave, të vërtetimeve, të dokumenteve që iu kërkojmë sot njerëzve. Faktikisht, është një numër jashtëzakonisht i lartë dhe plotësisht i reduktueshëm.

Së treti, po punojmë për të siguruar lidhjen e bazës së të dhënave në mënyrë të integruar. Çka do të thotë që të disponojmë jo thjesht një bazë të dhënash për një shërbim, por të kemi një bazë të dhënash, e cila të jetë aksesibël për të gjitha shërbimet dhe njëkohësisht t’i japim mundësi shtetit të ketë dijeni të plotë për të gjitha aspektet që lidhen me një pronë, me një numër pronarësh dhe kështu me radhë. Sigurisht, është i domosdoshëm edhe integrimi i bazës së të dhënave të gjykatave, por kjo i takon një faze të dytë.

Nga ana tjetër, Qendra Kombëtare e Shërbimeve, e cila do të jetë pika fokale që do t’i shërbejë kryesisht banorëve të Tiranës, do të jetë edhe qendra e gravitetit e të gjithë rrjetit të shërbimeve që do të shtrihet në të gjitha njësitë bashkiake. Kam parasysh njësinë bashkiake të Tiranës, kam parasysh komunat, që mbas 21 qershorit do të kthehen në një njësi shërbimi.

Ambicia është që shërbimi që jep Qendra Kombëtare përmes sportelesh, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me institucionin, por janë aty thjesht për të orientuar qytetarët, ndërkohë që gjithë procedura e shërbimit është on-line të mund të shtrihet në të gjithë territorin e Republikës, duke përfituar nga avantazhet e teknologjisë së re.

Së shpejti, në Parlament, do të vijë edhe ligji për Firmën Elektronike. Për të dhënë një shembull se çfarë kapërcimi do të bëjmë, do të thotë se pas kalimit të këtij ligji dhe përcaktimit të të gjithë procedurave të nevojshme, koha kur certifikata do të merret drejtpërdrejtë në shtëpi, pa pasur nevojë fare për të shkuar në qendrën e shërbimeve publike apo në njësinë bashkiake, do të jetë shumë e shpejtë.

Ne kemi tanimë më shumë se 100 shërbime të dixhitalizuara përmes portalit e-Albania, të cilin e gjetëm me 5, 6 shërbime dhe me një akses zero të qytetarëve. Sot janë mbi 100. Pjesa e mbetur, që parashikohet të jetë rreth 300 shërbime nga 390 e ca që ka sot, është pjesa më e vështirë pasi kërkon atë që thashë; sistemin bazë të të dhënave. Sot për mes portalit e-Albania është fare e thjeshtë të paguhet fatura e energjisë elektrike, fare thjeshtë të paguhen një sërë detyrimesh të tjera pa bërë absolutisht asgjë tjetër veçse një klik-u dhe dhënies aty për aty të shërbimit.

Për ta mbyllur unë besoj që ky është një ligj që na çel një rrugë krejtësisht të re. Na jep mundësinë që të projektojmë për në harkun e tre viteve të ardhshme një transformim rrënjësor të të gjithë sistemit të shërbimeve në Republikën e Shqipërisë. Na jep mundësinë që ta çrrënjosim me themel të gjithë sistemin e korrupsionit që nuk është asnjë gjë tjetër veçse alternativa e shërbimeve të munguara; alternativa e shërbimeve të pamundura; alternativa e shërbimeve që nuk arrin dot deri tek qytetari. Është shembulli më domethënës dhe më i qartë i bindjes tonë se është modernizimi i sistemit që garanton një luftë me sukses kundër korrupsionit.

Në momentin kur ne të vendosim në punë këtë sistem, i cili nuk do të vendoset i gjithi në punë menjëherë, por do të fillojë dhe do të ndjehet pjesë-pjesë qysh në vitin e ardhshëm, ne do të kemi mundësinë e plotë që ta nxjerrim Shqipërinë njëherë e përgjithmonë nga lista e zezë e vendeve që perceptohen dhe që trajtohen si vende ku nuk merr dot një shërbim pa paguar një ryshfet.

Jam i bindur që kjo është një zgjidhje e drejtë, e shpejtë dhe përfundimtare, ashtu sikundër besoj që ky ligj ka rëndësi shumë të madhe sepse është momenti kur qeveria jonë, kur shumica jonë, mund t’i shohë njerëzit në sy dhe t’u thotë që ne jemi shumë të vetëdijshëm që sistemi “lesh e li” që trashëguam nga të parët tanë para 23 qershorit, ishte një sistem tërësisht i korruptuar dhe është një sistem që sot nuk është çrrënjosur. Jemi shumë të vetëdijshëm që sot ka shumë sportele ku vazhdon historia e vjetër e marrjes së ryshfetit për të dhënë shërbimin. Jemi shumë të vetëdijshëm që ndryshimi i njerëzve nuk është zgjidhja, por është thjesht dhe vetëm spostimi i problemit nga një anë në anën tjetër.

Ndërkohë që, zgjidhja është modernizimi, modernizimi, modernizimi.

Për këtë arsye duke pasur parasysh edhe faktin që zhvillimi i teknologjisë ecën me një shpejtësi shumë të madhe dhe në një kohë që ne sot as e përcaktojmë dhe as e përfytyrojmë dot, gjithçka do të bëhet pa pasur nevojën për të shkuar asgjëkundi për të marrë shërbimin. Qendrën Kombëtare të Shërbimeve e kemi konceptuar në të njëjtën kohë edhe si qendër të inovacionit. Do të funksionojë edhe si e tillë në një pjesë të saj dhe pak nga pak, me kalimin e shërbimeve nga infrastruktura fizike në infrastrukturën tërësisht dixhitale, ajo do të kthehet në Qendra Kombëtare e Inovacionit të shtetit Shqiptar, që do të jetë vazhdimisht në dispozicion të kërkimit, në dispozicion të adresimit të problemeve për të cilat kanë nevojë për zgjidhje në nivelin e shtetit, të institucioneve apo edhe të shoqërisë.

Unë besoj se këto janë gjërat për të cilat shqiptarët kanë nevojë të dëgjojnë. Unë besoj se këto janë gjërat për të cilat shqiptarët kanë nevojë për fakte dhe prova konkrete.

Ndërkohë, uroj që atë që nuk ua bëri 23 qershori, t’ua bëjë 21 qershori; t’ju sjellë në vete, sepse jeni komplet jashtë vetes. Komplet!

***

Replikë e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme në Parlament:

Kthehemi tani në realitet.

E para, nënshkrimi elektronik i certifikatës familjare, nuk është në ligj. Për këtë arsye do vijë ligji këtu që të bëhet nënshkrimi elektronik i vlefshëm për certifikatën familjare.

E dyta, Vodafone është sorollatur tre vjet sa lart e poshtë, sa nga një anë e sa nga ana tjetër, sa nga zyra ku jam unë sot, sa te zyrat e Guvernatorit të Bankës, sa andej dhe sa këtej, dhe faktikisht, ajo çka Vodafone ka kërkuar prej disa vitesh që s’e keni bërë ju dhe e ka kërkuar Vodafone u bë realitet vetëm me ardhjen e guvernatorit të ri dhe pagesat nëpërmjet celularit janë sot aktive, sepse ne zhbllokuam këtë situatë. Kjo është e vërteta!

Përsa i përket çështjes së sporteleve, që për mua, besoj, është një nga ndryshimet më të rëndësishme dhe më të nevojshme, në mos më i madhi, që kanë njerëzit që janë në kontakt me shtetin dhe institucionet, ne kemi vënë në dispozicion një fond të qeverisë për të gjithë procesin e përgatitjes dhe për bazën e të dhënave. Banka Botërore ka vënë në dispozicion një fond që është fondi që miratojmë sot me këtë ligj. Bashkimi Europian ka vënë në dispozicion nga ana e vet një fond dhe kështu sëbashku do të realizojmë këtë projekt i cili nuk bëhej më shpejt po ta bënim me paratë e qeverisë shqiptare, sepse ka një kohë objektive të pashmangshme që është koha e kalimit nga letrat e “bakallit”, tek baza dixhitale e të dhënave, pa të cilën nuk funksionon sistemi i shërbimit dot. Se nuk është çështje interneti, është çështje se kur të japë shërbimin sistemi duhet të ketë bazën e të dhënave nga e cila ushqehet.

Është e vërtetë, në fakt, që ju i dhatë disa fonde për Shqipërinë dixhitale, por ka një ndryshim themelor dhe arsyeja pse Shqipëria dixhitale nuk funksionoi deri para 23 qershorit dhe pse ka filluar të hyjë në rrugën e funksionimit sot është shumë e thjeshtë; ju dhatë 12 milionë dollarë dhe i dhatë për kompjutera. Se kështu kujtonte ai që ishte te zyra ime përpara se të shkoja unë, mjafton një kompjuter, mjafton dhe interneti dhe u kry, por nuk u kry.

Faktikisht, çfarë kemi trashëguar ne janë laboratorë informatike të dalë nga përdorimi sepse ato televizorët që i çonit ju si kompjuterë nëpër laboratorë të informatikës nuk përdoreshin. Ju nuk merreshit fare se çfarë do përdorin dhe kush do t’i përdorte. Këtë gjë nuk e them unë, por e thonë ata që janë të fushës, që kanë punuar edhe në kohën tuaj, që punojnë edhe në këtë kohë sot dhe japin këtë shërbim, e thonë shprehimisht që “paratë e shpenzuara deri përpara se sa të ndryshojë qasja janë para të hedhura në lumë”. Të gjithë ato shpenzime që keni bërë për të çuar ato televizorët që i thoshit ja ky është kompjuteri dhe për lidhjen e internetit janë kot, se faktikisht çonit televizorët. U bënë si televizorë që nuk ndizeshin sepse as internetin nuk e paguanit ju.

Shikoni borxhin që latë mbrapa për kompaninë me të cilën kishit bërë kontratën për internetin. Shikoni borxhin që latë mbrapa, në atë malin e madh të borxheve që latë, e latë edhe këtë borxh dhe faktikisht ato laboratorë janë jashtë përdorimit. Ndërkohë që, edhe sikur të ishin brenda përdorimit nga pikëpamja teknike, janë jashtë përdorimit nga pikëpamja faktike, sepse nuk i duhet dreqit ashtu siç i keni bërë ju.

Ju dhatë 12 milionë, ne krijuam fondin e veçantë për dixhitalizimin dhe kemi vënë në dispozicion vetëm brenda kësaj periudhe, më shumë se 30 milionë dollarë. Dhe, janë më shumë se 30 milionë dollarë, të cilat shkojnë jo për të blerë kutitë, por për të gjithë pjesën që ka të bëjë me kontentin, për pjesën që ka të bëjë me transformimin e bazës së të dhënave nga letrat e bakallit tek koha që jetojmë sot.

Ndaj, kjo është bisedë e kotë, ashtu siç e është e kotë të bisedosh me ju se çdo me thënë të kesh një mjedis estetikisht normal. Është e kotë! Ashtu si historia e Abu Dabit për Ministrinë e Jashtme, që është shumë e thjeshtë. Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara erdhi për vizitë në Shqipëri. Ai vizitoi Ministrinë e Jashtme dhe kur erdhi në Kryeministri, më thotë se Kryeministria është e bukur, por Ministrinë e Jashtme si e keni lënë ashtu. I thashë, nëse na i jep paratë, ne e rregullojmë edhe atë. Faktikisht, ai u angazhua dhe ai nuk është as borxh, as kredi, por është dhuratë e Ministrisë së Jashtme të Emirateve të Bashkuara për Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë. Kaq e thjeshtë është historia.

Por ju nuk e keni problem dhe nuk është se nuk keni pasur mundësi, po juve ju është dukur e bukur. Juve, sportelet ku ka edhe merimanga, edhe minj, ku ka faunë, përveçse njerëzve, ju duken bukur.

Ne, të gjithë katin e parë të Kryeministrisë, që tani po e transformojmë, do ta bëjmë qendër për publikun, do t’ia japim publikut, ndërkohë ajo që kishit ju, ishte një skandal. Të shikosh arkivat e gjithë historisë së shtetit shqiptar, e gjithë kujtesa e qeverive shqiptare të lëna mes lagështirës dhe minjve, pa asnjë lloj inventari. Por juve ju pëlqen kjo gjë. Sikundër, ju pëlqente edhe ai gardhi rreth e rrotull. Apo siç ju pëlqente të kishit për çdo departament nga një transformator dhe nga një gjenerator. Një shtet i gjithi nuk vinte dot, një gjenerator për Kryeministrinë, por çdo departament kishte gjeneratorin e vet, Ministria e Financave kishte të vetin, një drejtori kishte të vetën, mbushur me gjeneratorë dhe transformatorë. Turp! Madje edhe me garazhe pa leje, aty. Garazhe që ndërtonte pa leje, Kryeministria, për vetura që nuk ishin fare të Kryeministrisë.

Juve ju duken bukur ndërtimet pa leje, pse të diskutojmë kot! Ju latë të gjithë Shqipërinë të ndërtohet pa leje dhe ju duket se keni bërë një vepër të madhe. E ka thënë vetë njëri, shtatë mrekulli ka bota, kjo është e teta. Njerëz që ndërtojnë një qytet pa leje, nga e para, pa pyetur njeri.

Përsa i përket standardeve, shijes dhe nevojës për të jetuar në një mjedis që është i denjë për njerëzit, ku njerëzit kanë vendin e vet, kafshët kanë vendin e vet dhe gjelbërimi ka vendin e vet, nuk kemi çfarë të diskutojmë me ju. Kur e morëm Bashkinë e Tiranës, juve na dhatë në dorëzim luanë vegjetarianë, i mësuat luanëve të hanë lakra, se mishin e merrnit dhe e çonit nëpër shtëpi. Tani, përsëri kaluat në një fazë tjetër, e keni bërë kopshtin zoologjik, vendin ku lopa ha kaun. 

Ajo që ka rëndësi për qytetarët nuk ka lidhje fare me këto. Ky është folklori juaj që nganjëherë ia vlen që të merremi, se nuk kemi çfarë të bëjmë tjetër me ju. Por ajo që ka rendësi është që të transformojmë rrënjësisht, hapësirat ku shërbehen qytetarët, sepse bashkëjetesa juaj me baltën, me rrëmujën, me shkatërrimin, me pluhurin, me insektet, me gjithfarë kafshësh rruge ishte një bashkëjetesë që nuk ka lidhje fare as me shtetin, as me qytetin, as me qytetarin, as me qytetarinë.

Mirë që e latë kështu, po çfarë keni tani që thoni, pse i rregulloni?! Çfarë problemi keni ju që po pastrohen, që po ndriçohen, që po rregullohen?! Çfarë problemi keni ju që njerëzit që vijnë nga jashtë, shqiptarë apo të huaj, i gëzohen këtij ndryshimi, pse ju shqetëson kjo gjë, juve?!

Keni parë ju, një qytet a ndonjë vendbanim, ndonjë lagje a ndonjë vend ku të jetojnë njerëz, që të jetë pis dhe shëmti dhe njerëzit të kenë mirëqenie? Më tregoni një vend ku pisllëku, shëmtia, degradimi janë aty, bashkë me mirëqenien. Më thoni një vend të tillë dhe atëherë po i lëmë të gjitha këto punët e tjera, nuk po merremi me pastrim, nuk po merremi me ndriçim, nuk po merremi me gjelbërim, nuk po merremi me qytetarizim të zonave urbane, që i bëtë si katundet që keni në kokë, se ku i keni parë ato katunde, nuk e di. Të parët tuaj ndërtonin kulla që janë vepra arti. Ndërkohë që ju dini vetëm ndërtime pa leje, hidh kate, futi suva, vuri dhe flamurin e PD-së sipër dhe o burra përpara! Këtë dini ju, kjo është estetika juaj. Prandaj në këtë pikë nuk keni asgjë çfarë të flisni. Në këtë pikë keni vetëm një mundësi, të hapni sytë, të mësoni ndonjë gjë, s’ka gjë mos e thoni se e mësuat nga ne, por akumulojeni, integroheni në koshiencën tuaj, që kur të vijë dita që të merrni prapë detyrën për të qeverisur vendin, mos ta ktheni mbrapsht, prapë te pisllëku, te merimangat, te minjtë dhe tek bashkëjetesa e njerëzve në rrugë me kafshët e rrugës.

Përsa i përket faktit të thjeshtë që për pak ditë shqiptarët do thonë diçka, me siguri do thonë diçka, është shumë e rëndësishme që të presim me qetësi, t’i dëgjojmë shqiptarët çfarë do thonë, po unë besoj që shqiptarët e kanë kuptuar. Për llafe jeni ju këtu në parlament, për punë jemi ne në qeveri edhe në bashkitë e Shqipërisë. Kështu që edhe demokratët, - se e keni merak që pse i them unë, demokratëve, që votoni për kandidatët tanë, - të cilët kanë nevojë njësoj si socialistët për çerdhe për fëmijët, për shkolla, për rrugë, për kanale kulluese, për kanale vaditëse, bëjnë një gjë shumë të drejtë, juve ju lënë rehat, nuk ju fusin në punë, se kur ju fut në punë, ju vetëm rrëmujë bëni dhe nuk lodheni. Këtu, parlamentin e keni çdo të enjte dhe siç e shikoni është në dispozicionin tuaj. Llafet ju, punën ne. Për shërbëtor demokratët të na zgjedhin neve.

Mos u shqetësoni se 21 qershori po vjen. Flamur nuk kam gjë me ty, mos e tensiono bisedën, Kukësi aty është, Aleanca jonë aty është, 21 qershori po vjen. Edhe në Kukës jam i bindur që ti do të marrësh një mesazh nga qytetarët, që do të të vlejë ty dhe do i vlejë të gjithë partisë. Ndoshta 23 qershori ishte shok shumë i fortë dhe nuk keni faj që nuk e keni marrë veten akoma, mbase 21 qershori ju ftillon që të kuptoni që e keni lënë këtë vend pa opozitë dhe e keni kthyer opozitën në një tufë njerëzish që mblidhen tek parlamenti dhe flasin përçart. Kjo është e vërteta!