min harito OSS

Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike Milena Harito drejtoi sot Workshop-in me temë “Implementimi i OSS (Open Source Software) në Administratën Publike” i cili mblodhi në një tryezë të përbashkët diskutimesh, specialistë vendas dhe të huaj të sektorit të IT, drejtues  të institucioneve të fushës, etj.

Projekti i prezantuar si një risi teknologjike, në kuadër të  iniciativës për partneritet dhe qeverisje të hapur (OPG), ka si qëllim përdorimin e software pa pagesë apo pa kosto të liçensimit dhe me kod burim të hapur, shkurtimisht te quajtura OSS ( Open Source Software). Keto software nuk vendosin kufizime në përdorim dhe janë të lira, pa kosto në aspektin e të drejtave të përdoruesve, përveç kostove në aspektin e implementimit dhe mirëmbajtjes.

Në fjalën përshëndetëse, Ministrja Harito theksoi faktin se kjo është iniciativa e parë formale e ndërmarrë nga Qeveria në lidhje me zbatimin e OSS në administratën publike, por nuk do të jetë e vetmja.  « Ne do të ndërmarrim  edhe  projekte konkrete të cilat do të mundësojnë që edhe OSS të jetë një nga zgjedhjet në lëvrimin e shërbimeve tona elektronike për qytetarët, por edhe në përmirësimin dhe automatizimin e proçeseve të punës nderinstitucionale. » - u shpreh ajo.

Duke ritheksuar vendosmërinë e qeverisë për tu ofruar qytetarëve një qeverisje të drejtë e transparente, Ministrja u shpreh se projekti në fjalë ashtu si dhe shumë të tjerë që do ta pasojnë, është fryt i angazhimeve konkrete për rritjen e transparencës edhe si mjet për të luftuar çdo ditë korrupsionin, edhe si mënyrë për rritjen e aksesit në informacion të qytetarëve, për të fuqizuar pjesëmarrjen e tyre  në vendimmarrje.

Fjala e Ministres për Inovacionin dhe Administratën Publike Milena Harito, në workshop-in “Implementimi i OSS në Administratën Publike”:


“Të nderuar organizatorë dhe pjesëmarrës në këtë forum,

Zonja dhe Zotërinj,

E para që dua të them është se më vjen shumë mirë që shoh kaq shumë njerëz në këtë workshop. Kështu që në rradhë të parë, ju falënderoj për pjesëmarrjen. Falënderoj zonjën Mezini për pjesëmarrjen e saj. Dua të them disa fjalë në lidhje me angazhimet  e qeverisë sonë.

Qeveria jonë është e vendosur t'ju ofrojë qytetarëve një qeverisje të drejtë e transparente.  

Ky është  programi politik që ne po vemë  në zbatim, kjo është edhe  filozofia  që na drejton. Për më tepër pjesëmarrja në Partneritetin për Qeverisje të Hapur (OGP), iniciativës së Presidentit Obama, na shtyn drejt angazhimeve konkrete për rritjen e transparencës në veprimet qeveritare, edhe si mjet për të luftuar çdo ditë korrupsionin, edhe si mënyrë për rritjen e aksesit në informacion të qytetarëve, për të fuqizuar pjesëmarrjen e tyre  në vendimmarrje. Rrjedhimisht Qeveria duhet të garantojë akses të lire, të hapur, dhe jo-diskriminues të informacionit publik.  

Por, nga ana tjetër duhen marrë masa kundër keqpërdorimit të të dhënave, që mund të rrezikojë si sigurinë kombëtare ashtu edhe sigurinë e qytetarëve.

Rritjen  e transparencës dhe të aksesit në informacion na e lehtësojnë sigurisht risitë e teknologjisë. Jemi në gjendje sot të kemi pa lëvizur nga shtëpia, një sasi informacioni që do të ishte krejt e paimagjinueshme 15 vjet më parë.  

Në ditët e sotme, gjithnjë e më shumë qeveri, organizata publike, kompani të mëdha në botë përdorin gjerësisht software pa pagesë apo pa kosto të liçensimit dhe me kod burim të hapur, shkurtimisht te quajtura OSS ( Open Source Software). Të   shpjegojmë pak  për çfarë bëhet fjalë, për dëgjuesit dhe jo për komunitetin që gjendet në këtë sallë. Keto software nuk vendosin kufizime në përdorim dhe janë të lira, pra pa kosto në aspektin e të drejtave të përdoruesve, por sigurisht  kanë kosto në aspektin e implementimit dhe mirëmbajtjes.

Karakteristikat e OSS-së e bëjnë më të lehtë për qeverinë që të përmbushë angazhimet për transparencë dhe akses në informacion, sepse:

-OSS përdor standarde dhe formate të hapura. Kjo lejon qasje të lirë në informacion dhe zbatim më të lehtë të parimeve Open Data.

-Përdorimi dhe mirëmbajtja e programeve OSS nuk varet nga bashkëpunimi i një ofruesi të vetëm, sic është rast për software me licencë. Kjo është pra një mënyrë për të luftuar monopolet, në këtë fushë , si dhe në fushat e tjera. Është një nga objektivat tanë.

-Për shkak të kodit burim të hapur, mund të garantohet disponueshmëria e sistemeve të pajtueshme, përsëri një mënyrë për të luftuar monopolet.

-Mundësia e auditimit të kodit burim, e mbron këtë kod nga mundësitë e kompromentimit të sigurisë apo integritetit të të dhënave, që është i nevojshëm për sigurinë kombëtare dhe atë të qytetarëve.   

Nëse OSS projektohet dhe aplikohet saktë atëherë mund të ofrojë dhe përfitime të tjera të rëndësishme për një vend në zhvillim sic jemi ne. Kështu, mundëson:

-Zhvillimin e kapaciteteve në industrinë vendase, sepse duke ulur kostot fillestare të liçensimit  i ofrohet mundësia  një komuniteti më të gjerë të ofrojë shërbime.

-Reduktimin e importeve - të mos harrojmë që paratë e shpenzuara për liçensa janë para që dalin jashtë vendit.  

Reduktimin e shkeljes së të drejtave të autorit, meqënëse OSS nuk kanë të drejta autori.

Nga ana tjetër rritet konkurrenca, pra mund të shpresojmë një ulje e çmimeve në tregun e software aplikacioneve.

Reduktohet kostoja fillestare të implementimit të aplikacioneve dhe kemi pavarësi nga furnitori, sic e thamë. Gjithashtu rritet aksesi në informacion.  

Një nga problemet e ngritura për të implementuar sisteme të mëdhenj shtetërorë në open-source është cilësia e suportit, dhe e mirëmbajtjes.

Por sot mundësia  e suportit ofrohet mund të ofrohet  nga kompani te medha, njëlloj si për sistemet me licencë, por edhe nga kompani te vogla e te mesme.

Duke pasur parasysh mundesitë qe ofron OSS por edhe kompleksitetin dhe vështirësitë e një adoptimi të suksesshem, Qeveria Shqiptare mbështetur nga Banka Botërore ndërmori në Tetor 2013, menjëherë sapo erdhëm në detyrë, një studim mbi situatën aktuale të përdorimit te OSS ne sektorin e qeverisjes qëndrore, per te patur një orientim sa më efiçent të politikave në shfrytëzimin optimal te aplikacioneve OSS.  

Ndonëse programet OSS ulin disa kosto, gjenden lehtë, dhe përdoren në platforma të ndryshme teknologjike, ne jemi të vetëdijshëm për një numër sfidash që gjithashtu duhet të merren parasysh në adoptimin e OSS-së. Siç është çështja e mbështetjes dhe asistencës teknike nga një furnitor i besuar për cilësinë e shërbimit.

Kapacitetet e mjaftueshme lokale për të mbështetur siç duhet përdorimin e gjerë OSS në të gjithë ekonominë. Të mos harrojmë se politika  të mirëmenduara të OSS mund te nxisin furnizimin e shërbimeve mbështetëse nga  ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM-ve).  

Integrimin e komponentëve të ndryshëm OSS me software ekzistuese të infrastrukturës IT, është gjithashtu një sfidë më vete.

-Disponueshmëria, maturiteti dhe vazhdimësia e zhvillimit dhe mirëmbajtjes së platformave OSS si dhe mbështetja e industrisë dhe komunitetit, është një kusht i domosdoshëm dhe integrimi OSS në kuadrin e strategjisë shumëvjeçare të ICT-së.

Të mos harrojmë se gjigandë ndërkombëtarë si Accenture, IBM, Google, dhe mjaft të tjerë mbështesin komunitetin OSS ne krijimin, zhvillimin, mirëmbajtjen dhe adoptimin e aplikacioneve OSS.

Por, gjithashtu sot kemi sisteme të mëdhenj e të suksesshëm shtetërore. Sistemi që jam se sigurt qe të gjithë ju që jeni këtu e njihni në Shqipëri si Tims për kontrollin e hyrje-daljeve në kufi dhe Asycuda në dogana, përdorin  pjesërisht OSS. Pra kemi histori suksesi në vend dhe duhet të bëjmë gjithcka që ti aplikojmë dhe në fusha të tjera.  

Duam, në këtë takim të sotshëm që te kuptojmë më mirë sfidat që paraqet kjo qasje, ndaj do të ndjekim me vëmendje studimin e kryer nga konsorciumi i financuar prej fondeve te BB per ICT mbi:

Përdorimin e OSS ne Administratën Qendrore, kërkimet mbi Praktikat Ndërkombëtare të OSS dhe disa sugjerime mbi politikat dhe rolin e Qeverisë në raport me zhvillimin e OSS-se.

Dëshiroj të nënvizoj gjithashtu faktin se kjo është iniciativa e parë formale e ndërmarrë nga Qeveria në lidhje me zbatimin e OSS në administratën publike, dhe nuk do të jetë e vetmja.  Ne do të ndërmarrim  edhe  projekte konkrete të cilat do të mundësojnë që edhe OSS të jetë një nga zgjedhjet në lëvrimin e shërbimeve tona elektronike për qytetarët, por edhe në përmirësimin dhe automatizimin e proçeseve të punës nderinstitucionale.

Ju uroj një diskutim shumë konstruktiv dhe frutdhënës. Duke ju falënderuar ju uroj vazhdim të mbarë!

(BURIMI: MIAP)