b_0_0_0_00_images_fotoC.jpg

Shkolla Rajonale e Administratës Publike organizoi në Tiranë dhe Durrës në datat 18 dhe 19 maj 2017, Konferencën me temë "Shpërndarja e Shërbimeve Publike në vendet e Ballkanit Perëndimor", në të cilën mori pjesë edhe kreu i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, znj. Mirlinda Karçanaj.

Me synim, paraqitjen e gjendjes aktuale në ofrimin e shërbimeve në të gjithë rajonin, në konferencë morën një vëmendje të veçantë aspektet teknike lidhur me ndikimet që lindin gjatë zbatimit të zgjidhjeve inovative shumë komplekse brenda një konteksti publik. Gjithashtu u fol për iniciativat e karakterizuara nga inovacioni dhe përafrimi i BE-së, me theks të veçantë në modelin shqiptar që po zbatohet aktualisht, duke identifikuar shembujt konkretë të inovacionit për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike.

Në fjalën e saj, znj. Karçanaj foli shkurtimisht rreth punës së jashtëzakonshme që kryen institucioni që ajo drejton, ndërsa konkretisht u ndal tek portali e-Albania, një histori suksesi, si një shembull mjaft i mirë sa i takon komunikimit online mes institucioneve shtetërore dhe qytetarëve e biznesit.

"Portali e-albania ka pësuar një rritje impresionuese prej vitit 2012 kur është themeluar. Nga 14 e-shërbime në vitin 2013 dhe 6 institucione të lidhura në GG, sot këto shifra janë shumëfishuar përkatësisht me 34 dhe 7 herë. Në Platformën Qeveritare të Ndërveprimit gjenden institucionet me te rëndësishme te shtetit shqiptar, si Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Qendra Kombëtare e Bizneseve, Instituti i Sigurimeve Shoqërore e një sërë ministrish. Vitin e kaluar në GG kaluan mbi 25 milionë transaksione, një rritje 36.6 herësh krahasuar me vitin 2013", u shpreh znj. Karçanaj.

Duke u bazuar në shifra konkrete, kreu i AKSHI-t theksoi se hovi cilësor që ka patur portali e-Albania e ka shndërruar atë në një brand të padiskutueshëm zyrtar shqiptar, tek i cili kryhen çdo ditë të vitit, me dhjetëra procedura të qytetarëve dhe bizneseve, në mënyrën më të mirë, më të shpejtë, duke evituar maksimalisht fenomenet e korrupsionit dhe bukrokracisë.

"Me ofrimin e 1200 shërbimeve elektronike dhe informative, portali ka përmirësuar aksesin dhe informimin mbi shërbimet publike, ka ndikuar në ndërgjegjësimin e qytetarëve për cilësinë e marrjes së  tyre dhe çka më shumë rëndësi, ka ndihmuar në uljen e kohës dhe eliminimin e radhëve në sportelet e agjencive publike, duke reduktuar korrupsionin dhe burokracinë, garantuar barazi në shërbim për qytetarët dhe duke promovuar transparencën.

Më tej, znj. Karçanaj vlerësoi se për 2017 do të ketë edhe 100 shërbime të reja elektronike, ndërsa një hap mjaft i rëndësishëm do të jetë vlera ligjore që do t'i jepet vulës dixhitale.

"Vula dixhitale po implementohet për të gjithë e-shërbimet që gjenerojnë dokumente administrative si vërtetime apo certifikata, për t’i dhënë vlerë të plotë ligjore çdo dokumenti të tillë të marrë nga portali", theksoi drejtuesja e AKSHI-t.

Më tej u përmendën mënyrat e aksesimit në portal, duke përfshirë edhe pajisjet mobile të komunikimit, si dhe sportelet dixhitale të shpërndara në 15 pika të ndryshme me fluks njerëzish në qytetet kryesore të vendit.

Në çelje të konferencës, ishin të pranishëm ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike znj. Milena Harito, zyrtarë qeveritarë nga BE dhe Ballkani Perëndimor, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, përfaqësues të Dhomës së Tregtisë, shoqatat e sektorit të biznesit dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.