b_0_0_0_00_images_elejet.jpg
 
Procedura më e lehtë, më e shpejtë dhe më e thjeshtë.

Prej 1 shtatorit 2016 çdo qytetar apo biznes, që kërkon të përfitojë leje ndërtimi, duhet të aplikojë online përmes portalit qeveritar e-Albania.

Në ambientet e “Innovation Hub” në Godinën e Inovacionit, në prani të ministres së Zhvillimit Urban, znj. Eglantina Gjermeni, ministres së Inovacionit dhe Administratës Publike, znj. Milena Harito, kreut të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, znj. Mirlinda Karçanaj, zyrtarëve të institucioneve respektive dhe përfaqësuesve të medias u lançua sistemi elektronik i lejeve të ndërtimit, i cili ul korrupsionin,redukton vonesat dhe rrit nivelin e përgjegjshmërisë së institucioneve. 

Sistemi elektronik i lejeve u ndërtua nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), për llogari të dy agjencive në varësi të Ministrisë së Zhvillimit Urban, Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT) dhe Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT). Sistemi, i cili ka dy module, planifikimin dhe aplikimin, ka integruar 61 bashki e AZHT-në për pjesën e aplikimeve online, do të bëjë të mundur realizimin e shërbimit me një ndalesë për lejet e ndërtimit.

Por si do të kryhen aplikimet?

Aplikimi do t’i dërgohet bashkisë dhe punonjësit e saj do të kryejnë përmes sistemit, të gjitha verifikimet dhe bashkërendimin me institucionet e tjera publike, të cilat kthejnë përgjigje po nëpërmjet sistemit. Procedura eviton paraqitjen e vërtetimeve nga institucionet e përfshira dhe e gjitha është paracaktuar që të kryhet brenda afateve të qarta dhe pa vonesa.

Afati i shqyrtimit të lejes së ndërtimit nga bashkia është 15 ditë, ndërsa institucionet e tjera që duhet të japin mendimin e tyre në lidhje me lejen, duhet të përgjigjen brenda 10 ditëve pune. Në rast se institucionet publike nuk i japin përgjigje bashkisë brenda 10 ditëve pune, miratimi/pëlqimi i tyre konsiderohet i dhënë në heshtje dhe bashkia mund të vijojë  më tej me shqyrtimin e aplikimit.

Institucionet e integruara në sistemin e promovuar këtë fillimshtatori janë Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, Qendra Kombëtare e Biznesit (Qendra Kombëtare e Regjistrimit, Qendra Kombëtare e Licencimit) dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ndërsa me statusin e institucioneve ‘për mendim’ janë 9 të tjera si ALUIZNI, Instituti i Monumenteve te Kultures, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura etj.

Në fjalën e saj gjatë aktivitetit përurues të funksionimit të sistemit, ministrja Gjermeni, duke vlerësuar përfitimet që vijnë përmes kryerjes së aplikimit online ftoi të gjithë të interesuarit që të informohen hollësisht pranë institucionit të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për marrjen e nënshkrimit elektronik, pasi procedurat do të kryhen pikërisht me anë të këtij nënshkrimi (për udhëzime klikoni këtu). Ministrja sqaroi se nuk është e nevojshme të aplikohet për leje ndërtimi, kur është fjala për punime të brendshme të ndërtesave apo ndryshim të fasadave, kur ndërhyrjet kanë materiale dhe karakteristika si ato ekzistuese. 

Nga ana e saj, znj. Harito vlerësoi se me nisjen nga funksioni të këtij sistemi i jepet fund njëherë e mirë procesit të copëzuar, që është kryer deri më sot, për marrjen e lejeve të ndërtimit.

AKSHI, siç dihet tashmë, është institucioni që menaxhon dhe administron portalin qeveritar e-Albania, përmes të cilit do të realizohet ky proces i rëndësishëm online. Znj. Karçanaj theksoi se sistemi që merr udhë prej 1 shtatorit është rezultat i ndërveprimit të të gjithë institucioneve të përfshira, duke vënë në dukje se bashkëpunimi ndërinstitucional do të jetë i vazhdueshëm në realizimin e projekteve të këtij niveli. Me këtë rast, znj. Karçanaj bëri me dije për të pranishmit se brenda vitit 2016, në portalin e-Albania do të ketë mbi 400 shërbime elektronike, nga 278 të tilla që janë aktualisht.

Gjatë zhvillimit të aktivitetit, u demonstruan direkt mënyrat e aplikimit online për leje ndërtimi dhe zhvillimi.