b_0_0_0_00_images_bibloteka.jpg

 

Me rastin e 23 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Librit dhe të të Drejtës së Autorit, Drejtoria e Portalit e-Albania organizoi një aktivitet në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, në bashkëpunim me këtë institucion të rëndësishëm të jetës kulturore në vend.

Në aktivitetin ku morën pjesë, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, znj. Persida Asllani, punonjës të Agjencisë Kombëtare të Shoqërise se Informacionit, punonjës e anëtarë të Bibliotekës, si dhe qytetarë të ndryshëm, u promovuan shërbimet elektronike që BKSH-ja ofron përmes portalit unik qeveritar e-albania.al.

Specialistët pranë Drejtorisë së Portalit, pasi bënë një panoramë të përgjithshme të e-Albania, portal që administrohet nga AKSHI e që aktualisht ka rreth 800 shërbime për qytetarë, biznese dhe punonjës qeveritarë, sollën shembuj të ndryshëm se si qytetari mund të marrë shërbime elektronike pa patur nevojë të paraqitet nëpër sportele, duke evituar kështu një sërë hallkash burokratike.

Nga ana e saj znj.Asllani e vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm ndërinstitucional, ndërsa theksoi se projektet e së ardhmes kanë si synim veç të tjerave, thjeshtimin e procedurave në Bibliotekë për anëtarët aktualë dhe të rinj të saj, duke përdorur lehtësirat që sjell sot Teknologjia e Informacionit. Kreu i BKSH-së e vlerësoi si “shumë të rëndësishëm pjesëmarrjen e Bibliotekës në portalin e-Albania përmes 26 shërbimeve të saj për publikun, bibliotekarët dhe botuesit". 

Në kuadër të promovimit të e-Albania, në hollin kryesor të Bibliotekës Kombëtare u vendos edhe një sportel dixhital, prej nga ku të pranishmit u njohën individualisht me shërbimet e portalit, si dhe kryen procedurat e regjistrimit dhe të marrjes së shërbimeve të ndryshme. 

Në përfundim të aktivitetit specialistëve të bibliotekave publike, të cilët në mars 2016 përmbyllën me sukses “Kursin njëvjeçar të Kualifikimit të Vijueshëm Bibliotekar”, iu shpërndanë certifikatat e kualifikimit të vijueshëm në shkencën e bibliotekonomisë.

Dita Ndërkombëtare e Librit dhe e të Drejtës së Autorit

UNESCO, në mënyrë simbolike ka përcaktuar 23 prillin si Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të të Drejtës së Autorit për të ofruar një mundësi reflektimi mbi mënyrat e shpërndarjes sa më të gjerë të kulturës së librit, por edhe për krijimin e mundësive për qasjen e autorëve, individëve e sipërmarrësve për të krijuar botime, jo vetëm artistike, shkencore dhe artistike, por edhe programe analfabetizmi, financim për shumëfishim bibliotekash, librarish, me qëllim rritjen e dijes, krijimin e hapësirave më të përshtatshme për lexim dhe sjelljen e librit më pranë lexuesit. 

Kjo datë është caktuar nga Konferenca e Përgjithshme në vitin 1995 dhe prej asaj kohe aktivitetet e zhvilluara në shumë vende të botës kanë rezultuar të suksesshme; milionë njerëz, institucione, profesionistë të fushës së literaturës janë përfshirë në takime, konferenca, debate në më shumë se 100 vendeve të ndryshme të globit.