b_0_0_0_00_images_permiresoqytetin.jpg

Në ambientet e Kryeministrisë më 15 prill 2016 u prezantua sistemi "Përmirëso Qytetin", i cili do të shërbejë si një dritare e komunikimit efektiv online mes qytetarëve dhe 61 bashkive të vendit.

Në takimin ku ishin të pranishëm zëvendëskryeministri z.Niko Peleshi, ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, znj. Milena Harito, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, znj. Mirlinda Karçanaj, kryetarë të bashkive, zyrtarë të lartë dhe të ftuar të tjerë, u theksua se sistemi i qendërzuar "Përmirëso Qytetin" thjeshton e shmang një sërë hallkash për kryerjen e ankesave, kërkesave dhe sugjerimeve që qytetarët i drejtojnë qeverisjes vendore.

Me moton "Bëhu pjesë e zgjidhjes dhe përmirëso cilësinë e jetës në lagjen dhe komunitetin tënd!" ky sistem synon rritjen standardit të ofrimit të shërbimeve, rritjen e përgjegjësisë dhe shtimin e transparencës në vendimmarrje, minimizimin e rasteve të lëna pezull duke ofruar një zgjidhje sa më të shpejtë.

Në fjalën e tij, z.Peleshi vuri në dukje se modernizimi është rruga më e mirë për shërbime cilësore për qytetarët, të shpejta dhe pa ryshfet.

"Prezantojmë para kryebashkiakëve të vendit portalin 'Përmirëso Qytetin', një platformë fantastike për qytetarët dhe bashkitë. Problematika të përditshme me mjedisin e përbashkët, ndriçimin publik, sinjalistikën rrugore, parkimin, hapësirat e gjelbra etj, tani mund të njoftohen përmes këtij portali nga telefoni ose kompjuteri. Gjithashtu pyetësorët dhe sondazhet në portal bëjne të mundur pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrjet e qytetit me nje 'click'", u shpreh zëvendëskryeministri. 

Çdo bashki ka në përbërjen e saj persona të trajnuar për përdorimin e panelit të administrimit të portalit "Përmirëso Qytetin", proces ky i realizuar nën asistencën e specialistëve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Duke shprehur besimin se sistemi do të jetë ura më e dobishme e komunikimit online mes qytetarëve të 61 bashkive të Shqipërisë, drejtuesja e AKSHI-t, znj. Karçanaj shprehu gatishmërinë për mbështetje të vazhdueshme dhe të pandërprere teknike bashkive për funksionimin me efikasitet të portalit "Përmirëso Qytetin".

Nga ana e saj, ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, znj. Harito, i ka falenderuar kryetarët e bashkive për bashkëpunimin e tyre në drejtim të projektit për reformimin e shërbimeve publike. Ajo theksoi se falë këtij bashkëpunimi shumë shpejt brenda këtij viti do të nisë puna në disa qytete për ngritjen e qendrave të shërbimeve publike sipas modelit “One Stop Shop”. Gjithashtu, ministrja ka renditur projektet e financuara nga Qeveria gjatë vitit 2015 në fushën e teknologjisë së informacionit: “Nëpërmjet mekanizmit financiar të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, programit “Shqipëria Dixhitale”, gjatë vitit 2015 u miratuan për financim shumë projekte të kërkuara nga pushteti vendor dhe ai qendror por duhet theksuar që megjithëse në një pjesë të mirë të rasteve financimi ka qenë për pushtetin qendror, përfituesi direkt i këtyre projekteve ka qenë pushteti vendor”, theksoi znj.Harito.

www.permiresoqytetin.al mund ta gjeni edhe si aplikacion për Android në Play Store, dhe  iOS në App Store.