b_0_0_0_00_images_ealbaniaslideshow.png

 

 

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit prezantoi analizën vjetore të vitit 2016, në një takim të organizuar nga Ministria e Inovacionit dhe Administratës Publike në ambientet e “Innovation Hub”.

Të pranishëm në takim ishin ministrja e MIAP, znj. Milena Harito, Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, znj. Mirlinda Karçanaj, drejtuesit e ADISA, ASIG, AKCE, DAP, ASPA dhe ALCIRT, të cilët përcollën respektivisht në mënyrë të përmbledhur veprimtarinë institucionale të vitit që lamë pas.

“Progresraporti, i cili është një indikator shumë objektiv, thotë qartë që reforma e administratës është një nga pesë prioritetet që ka bërë progresin më të dukshëm deri tani në Shqipëri. Jemi të kënaqur me atë që kemi bërë, por kemi shumë punë përpara. Kjo që kemi realizuar është vetëm diçka e vogël krahasuar me atë çfarë duhet të bëjmë për të arritur nivelet e një administrate europiane. Administrata jonë duhet të jetë moderne,  bashkëpunuese, ku standardet funksionojnë për të gjithë njësoj”, tha znj. Harito. 

Duke folur për punën e AKSHI-t, znj Karçanaj u shpreh se 2016 ishte një vit i suksesshëm, me objektiva të realizuara, duke vënë një tjetër gur kilometrik të Shqipërisë në kuadër të procesit të dixhitalizimit.
Zonja Karçanaj në qendër të fjalës së saj vendosi punën e jashtëzakonshme që kryhet me portalin unik qeveritar e-Albania, të cilin e vlerësoi si arritjen më të madhe sa i takon komunikimit online të Qeverisë me qytetarin dhe biznesin, duke evituar maksimalisht korrupsionin dhe burokracitë e njëkohësisht duke eliminuar radhët e gjata të qytetarëve dhe bizneseve pranë sporteleve fizike.

Një zë të veçantë drejtuesja e AKSHI-t i dha sistemit elektronik të lejeve që funksionon prej 1 shtatorit të 2016, në portalin e-Albania.

“Nëpërmjet këtij sistemi, për një leje ndërtimi, eliminohet nevoja e të paktën 238 shkresave përcjellëse, të cilat presin dhe përgjigjen e tyre për mesatarisht 100 kërkesa në ditë, në rang republike. Nëse do të flisnim për letër, eliminohen mbi 23 mijë shkresa përcjellëse, të cilat po të përbëheshin nga një letër me format A4 do të llogariteshin 55 pako të tilla në ditë ose një furgon me letër në muaj. Nëse këtu do të përmendnim kopjen e projektit bashkangjitur që do i drejtohej çdo hallke ku kalon projekti, atëherë shifrat e lartpërmendura do të shumëfishoheshin me disa dhjetëra herë. Dixhitalizimi i dokumenteve eliminon dhe shtimin e arkivave manuale, si në përmbajtje dhe në hapësira fizike. Suksesi i arritur nga implementimi i këtij sistemi është i prekshëm ndjeshëm në koston monetare dhe kohore. Këtu nuk harrojmë të përmendim feedback-un monetar dhe zhvillimin që i jep përdorimi i e-lejeve biznesit shqiptar dhe si rrjedhim edhe punësimit”, u shpreh znj. Karçanaj. 

Kreu i AKSHI-t vlerësoi një arritje tjetër të 2016-s, në sajë të bashkëpunimit shumë të mirë ndërinstitucional me ZQRPP-në, shtimin e 52 shërbimeve të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, që janë në dispozicion të qytetarëve shqiptarë, të cilëve iu ofrohen procedura online të shpejta, pa vonesa dhe duke evituar çdo lloj forme korrupsioni a burokracie. Në portal, gjatë 2016-s, panë dritën e publikimit edhe shërbime të projektit e-Ekzaminime dhe 36 shërbime elektronike të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilat u vijnë në ndihmë shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut. 
“Është përdorur mbi 20 mijë herë shërbimi i aplikimit për leje ndërtimi dhe janë kryer mbi 1200 aplikime, janë kontrolluar online rreth 35 mijë fatura të energjisë elektrike, janë përdorur mbi 65 mijë herë shërbimet dedikuar maturantëve, duke regjistruar edhe një shifër prej 30 mijë aplikimesh tek shërbimi “Matura Shtetërore”. Janë depozituar mbi 16 000 bilance në Qendrën Kombëtare të Biznesit, është aplikuar mbi 35 mijë herë për Kartë Shëndeti, ndërsa shërbimet për automjetet janë përdorur mbi 37 mijë herë duke kryer mbi 1 mijë aplikime.   Institucionet e ndërlidhura në Platformën Qeveritare të Ndërveprimit arritën në 42, ndërsa u regjistruan mbi 25 milionë transaksione, dy herë më shumë krahasuar me një vit më parë”, vijoi më tek znj. Karçanaj.

Viti 2017, vjen plot sfida të reja për t’u përmbushur, për të cilat kreu i AKSHI-t dha sigurinë e saj se puna do të vijojë me profesionalizëm, ndërsa theksoi se bashkëpunimi rigoroz ndërinstitucional është çelësi kryesor për suksesin e procesit të dixhitalizimit.

Veprimtaria e AKSHI-t gjatë 2016 

Gjatë vitit që lamë pas janë trajtuar 181 praktika të institucioneve të Administratës Publike për projekte të reja, shtesa të projekteve ekzistuese, mirëmbajtje të sistemeve, si dhe përmirësim të infrastrukturave ekzistuese, 150 prej të cilave janë miratuar nga AKSHI, pa përfshirë këtu praktikat e tij. Janë regjistruar 45 projekte per zhvillime sistemesh të reja,10 projekte të mirëmbajtjes dhe pajisjeve Hardware dhe 95 projekte për blerje pajisjesh Hardware.

Me qëllim ofrimin e shërbimeve me disponueshmëri të lartë dhe parandalimin e humbjes së të dhënave, AKSHI ka ofruar shërbimin e hostimit te infrastrukturave dytësore të sistemeve qeveritare, për vazhdueshmërinë e punës dhe rikuperimin nga fatkeqësia. Gjatë vitit 2016 kanë përfituar nga ky shërbim 6 institucione, duke e çuar në 17 numrin total të tyre, prej të cileve 11 ndodhen në ambientin virtual për rikuperimin nga fatkeqësia dhe vazhdueshmërisë së punës dhe 6 si infrastruktura fizike në Qendrën e të Dhënave Qeveritare.

Gjatë vitit 2016, Drejtoria e Sistemeve e-Gov ka realizuar ofrimin e postës elektronike zyrtare në administratën publike për 2407 përdorues të rinj; në Active Directory janë shtuar 1930 të tillë. Gjithashtu janë licensuar 3550 produkte të Microsoft. Shërbimi Lync ka mundësuar komunikim tekst të menjëhershëm, video, zanor, chat, konferencë dhe web konferencë per 4005 përdorues. Përditësim i rregullt dhe i sigurt i 2083 makinave klientë dhe 207 makinave server nëpërmjet instalimit automatik dhe qendror të aplikimeve. Në Project Manager për planin operacional të Qeverisë janë shtuar 473 përdorues.Në sistemin EDRMS, Kryeministria ka përpunuar 610 shkresa, AKSHI ka përpunuar 669 shkresa ndërsa jane ngritur ambientet test për ministritë e linjës.

Gjatë vitit 2016, Sektori i Sigurisë mbrojti plotësisht portalin e-Albania nga 3.150.755 tentativa sulmesh kibernetike nëpërmjet sistemeve të saj të mbrojtjes, si dhe burimeve njerëzore. Sa i takon 309 faqeve zyrtare të cilat hostohen në serverat tanë, është regjistruar 1 sulm drejt faqes www.tirana.gov.al, i cili nuk arriti të realizohet plotësisht, pra mbeti thjesht si një incident pa rezultat pozitiv. Me sukses është realizuar edhe bashkëpunimi në kuadër të projektit e-leje, pasi AKSHI-i si Ofrues i Kualifikuar i Shërbimeve të Besuara (OKSHB), realizoi pjesën e nënshkrimit elektronik. Në total janë pajisur me nënshkrim elektronik 1700 aktorë, 1000 prej të cilëve janë të administratës publike dhe 700 të subjekteve private.

Gjatë vitit 2016, Drejtoria e Infrastrukturës e-Gov ka kryer upgrade të: Core (Data Center); rrjetit të Distribucionit dhe Aksesit; DIS servers;  PKI Site;  e-Albania, Production dhe TEST; Optimizim të rrjetit MPLS;  IOS dhe firmware për Cisco dhe Fortinet; firmware-t për Firewall-et Checkpoint; rrjetit akses për Public Cloud; firmware dhe drivers nyjet e "Public dhe Private Cloud" ; kapaciteteve Storage per "Public dhe Private Cloud". Gjithashtu janë lidhur me fibër optike 5 institucione të reja, dhe transferuar 4 institucione,  71 hostime te reja per institucione,  43 zona te reja ne DNS Publike për Domain-et e institucioneve, implementimi i Platformes Heterogjene, implementimi i Arkivës Elektronike, zgjerimi i "Private Cloud" me 2 (dy) nyje te tjera, transferimi i sistemeve back-end i institucioneve në Data Center-in e AKSHI-t.

Gjatë vitit 2016 ka vazhduar puna për identifikimin dhe shqyrtimin e kërkesave për regjistrimin e bazave të të dhënave shtetërore. Deri tani janë regjistruar gjithsej 36 Baza të Dhënash Shtetërore, nga 26 të tilla në vitin 2015.Po vijon plani për dokumentet shoqëruese të shërbimeve dhe shkëmbimin e tyre elektronikisht.