b_0_0_0_00_images_ekz.JPG

 

Në një aktivitet organizuar në Qendrën e Telemjekësisë, pranë Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" u organizua promovimi i Sistemit të Referimit Elektronik (e-Referal), një projekt i realizuar me sukses në bashkëpunim mes Ministrisë së Shendetësisë dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Sistemi i Referimit Elektronik (e-Referal), i integruar edhe në portalin unik qeveritar e-Albania përmes disa shërbimeve elektronike, pritet të lehtësojë qytetarët, si dhe do të rrisë edhe më tej besimin e njerëzve tek sistemi shëndetësor në vend.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ministri i Shëndetësisë Z. Ilir Beqaj, drejtuesja e AKSHI-t, znj. Mirlinda Karçanaj zyrtarë të lartë të shëndetësisë, mjekë të specialiteteve në poliklinika të kryeqytetit, ekspertë të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, qytetarë etj.

Në fjalën e saj, znj. Karçanaj shprehu vlerësimin për realizimin me sukses të këtij sistemi, falë mirëfunksionimit ndërinstitucional.

"Realizuam lidhjen e një hallke tjetër të rëndësishme; vënien në funksion të Sistemit të Referimit Elektronik, i cili prej javëve të fundit ofron për qytetarët shqiptarë 34 shërbime elektronike, në dobi të tyre, por edhe të ekipit mjekësor. Për qytetarët më pak kohë të humbur, më pak endje pranë sporteleve dhe shmangie veprimesh korruptive, ndërsa për bluzat e bardha, ofrohet konsultim online për një sërë praktikash me karakter procedural", deklaroi znj. Karçanaj.

Kreu i AKSHI-t foli për përfitimet praktike prej zhvillimit të e-Referal, pasi përmes tij adresohen disa nga problemet kronike të shërbimit mjekësor të nivelit të dytë e të tretë. 

"Sistemi i ri publikuar në portalin e-Albania parashikohet të ketë ndikim në disa drejtime konkrete. Së pari ai plotëson standardin e sjellë nga dy shërbime të tjera parësore që janë aktive në portalin e-Albania: shërbimi për Kartën e Shëndetit dhe ai për Kontrollin Mjekësor Bazë. Në vetvete ato japin një kontribut thelbësor për regjistrin shëndetësor të popullatës, që është statistikë interaktive shumë e rëndësishme, ndërkohë që Sistemi i Referimit Elektronik e pasuron më tej atë, duke edukuar gradualisht popullsinë me një kulturë të re të kërkimit të shërbimeve në këtë drejtim. Sistemi i Referimit Elektronik shërben edhe si një zgjerim i nevojshëm plotësues për Kontrollin Mjekësor Bazë, shërbimin që është aktiv tashmë në portal për një kategori të gjerë të popullatës. Portali jep mundësinë që çdo qytetar që ka kryer ‘check-up’ falas, të kontrollojë përgjigjet e analizave online dhe në varësi të tyre si dhe rekomandimit të mjekut të rezervojë konsultat e mëtejshme. Përfitimin e parë e ka qytetari që shmang kështu humbjen e kohës, qëndrimin në radhë në spitale. Po kështu prenotimi online eliminon rrugët e korrupsionit të mundshëm për marrjen e konsultës, duke përmirësuar edhe standardin e shërbimit dhe imazhin e spitaleve shqiptare që shpesh janë të mbipopulluara me njerëz", tha znj.Karçanaj. 

Ministri i Shëndetësisë, z. Beqaj vlerësoi këtë zhvillim të ri që çon një hap përpara drejt jetësimit të plotë të Shëndetësisë Elektronike.

"Sistemi “e-Referal”, së bashku me hallkat e tjera të “e-Health”-it, përveçse do të jenë një ndihmë e madhe për vetë punën e mjekëve, do të lehtësojnë gjithashtu edhe qytetarët, si dhe do të rrisin edhe më tej besimin e njerëzve tek sistemi shëndetësor në vend.Investimet e kryera deri më sot, së bashku me ato që janë në zbatim e sipër dhe që pritet të fillojnë së shpejti për dixhitalizimin në shëndetësi, arrijnë në total vlerën e konsiderueshme prej 36 milionë eurosh. Praktikisht, për çdo shqiptar, kemi shpenzuar dhe po shpenzojmë 12 euro vetëm për dixhitalizimin, ndërsa nga pikëpamja e autentifikimit me nënshkrimin elektronik, shëndetësia publike është sektori më i avancuar në Shqipëri në këtë drejtim.Qëllimi është që qytetarët të bëjnë sa më pak ecejake, të mos ja lemë qytetarit barrën që ta marrë ai me vete dokumentacionin mjekësor, të fillojmë të popullojmë gradualisht me dosjen elektronike të shëndetit, dhe padyshim, edhe mjeket mund të bëjnë një punë shumë cilësore, transparente dhe me elementë vetëllogaridhënieje", tha z. Beqaj.

Bluzat e bardha e vlerësuan si mjaft pozitiv zhvillimin e sistemit të ri, duke përmendur me shifra dobitë që do të ndihen në kohë afatshkurtër prej përdorimit të tij. Gjatë aktivitetit u bë një prezantim i shkurtër, por mjaft i detajuar, rreth mënyrës së përdorimit të sistemit e-Referal.